Çështjet kryesore të zekatit të fitrit

  1. Domethënia e Zekatit të Fitrit:
    “Zekat” do të thotë pastrim, ndërsa “fitri” presupozon ngrënien dhe përfundimin e agjërimit, por nga derivatet e “fitrit” janë edhe kuptimet “fizik, trup dhe karakter”.
    Pra Zekati i Fitrit është një lëmoshë e detyruar që nxirret me përfundimin e Ramazanit dhe që shërben si pastrim i agjërimit përmes pastrimit të punës dhe karakterit të agjëruesit.
  2. Dispozita e dhënies së Zekatit të Fitrit:
    Dhënia e Zekatit të Fitrit është farz (detyrim) dhe argumenti për këtë vjen në hadithin e Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku ai thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e bëri obligim Zekatin e Fitrit.” (El-Bukhari 1503 dhe Muslimi 984).
  3. Kush obligohet ta nxjerr Zekatin e Fitrit:
    Zekati i Fitrit është detyrim për kryefamiljarin musliman i cili në mbrëmjen e festës së Bajramit (në kohën e perëndimit të diellit të ditës së fundit të Ramazanit, që konsiderohet koha e obligimit të këtij Zekati), posedon tepër nevojave ditore të ditë-natës së ditës së festës, sasinë ushqimore prej 1 sa’a (rreth 3 kg ushqim bazë) ose vlerën e kësaj në lekë, për vete dhe për secilin prej familjarëve të tij që ka në ngarkim.
    Zekatin e Fitrit e nxjerrë kryefamiljari për të gjithë anëtarët muslimanë të familjes së tij, për të voglin dhe të madhin, mashkullin dhe femrën, të lirin dhe robin.
    Argument për këtë është hadithi i Abdullah Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka bërë obligim që Zekati i Fitrit të nxirret një sa’a (rreth 3 kg) hurma, ose një sa’a elb, për çdo person musliman që është rob apo i lirë, mashkull apo femër, i madh apo i vogël.” [Bukhariu dhe Muslimi] Për foshnjën në bark nuk është obligim të nxirret Zekati i Fitrit, porse e tillë gjë është e pëlqyeshme, bazuar në veprimin e Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që e nxirrte zekatin për fëmijën në bark.
  4. Kujt i jepet Zekati i Fitrit dhe cila është urtësia e dhënies së tij:
    Zekati i Fitrit u jepet muslimanëve të varfër dhe argument për këtë është hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e bëri obligim Zekatin e Fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të turpshme, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit…” [Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe, hadith sahih-i saktë] Nga transmetimi i sipërpërmendur përfitojmë se urtësia e dhënies së Zekatit të Fitrit ka të bëjë me pastrimin e karakterit dhe veprës së agjëruesit dhe me ndihmesën, mëshirimin, dëlirjen dhe gëzimin e të varfërve…
    – Por cili është kufiri i varfërisë sipas gjykimit të Sheriatit (Ligjit Islam).
    Dijetarët muslimanë kanë thënë se i varfër konsiderohet ai person i cili me të ardhurat që siguron përgjatë vitit, nuk arrin t’i përmbushë nevojat e tij jetike njëvjeçare.
    Për shembull, nëse një person gjatë një viti siguron 5000 EURO të ardhura (ku përfshihen rroga, paratë e depozituara, tregtia, qiratë që ai merr, aksionet etj., duke mos u llogaritur kapitalet që s’janë për shit-blerje), mirëpo nevojat jetike njëvjeçare (shpenzimet për vete dhe për personat që i ka në ngarkim) si: qiradhënia, faturat e energjisë/ngrohjes dhe ujit, ushqimi, veshmbathja, shkollimi i fëmijëve, borxhet etj., nëse këto kushtojnë më shumë se shuma e të ardhurave vjetore që personi në fjalë merr; ky person konsiderohet i varfër.Vërejtje: Bazuar në pikën 3 dhe 4, nënkuptohet që paska muslimanë të cilët nga njëra anë e kanë detyrim të japin Zekatin e Fitrit (nëse e plotësojnë kriterin e cekur në fillimin e pikës 3); dhe nga ana tjetër të njëjtët persona, e meritojnë që t’u jepet Zekati i Fitrit apo ai i Pasurisë (nëse janë brenda kufirit të varfërisë të cekur në pikën 4)…
    Edhe pse mendimi më i drejtë është se Zekati i Fitrit i jepet vetëm të varfërve, duhet theksuar fakti se sipas masës më të madhe të dijetarëve, Zekati i Fitrit lejohet t’i jepet kategorive të personave të cilëve u jepet Zekati i Pasurisë…
    Zekati i Fitrit, lejohet t’i jepet të afërmëve të varfër, me kushtin që të afërmit të mos jenë prej atyre që personi e ka për detyrë t’i financojë, sikurse prindi dhe fëmija…
  5. Forma dhe sasia e dhënies së Zekatit të Fitrit:
    Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka urdhëruar që Zekati i Fitrit të jepet një sa’a (rreth 3 kg) elb, ose një sa’a hurma, ose një sa’a djath, ose një sa’a rrush i thatë, ose një sa’a grurë, kjo bazuar në transmetimin e Ebu Seaid El-Khudriut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili lidhur me këtë thotë:
    “Ne për Zekatin e Fitrit jepnim një sa’a ushqim, ose një sa’a elb, ose: një sa’a hurma, një sa’a qumësht i ngurtësuar [prej ushqimeve arabe] apo një sa’a rrush i thatë.” (El-Bukhari 1506 dhe Muslimi 985).Fjala “ushqim” është e përgjithshme dhe përfshin të gjithë produktet ushqimore bazë që dalin nga toka si gruri, orizi, fasulja apo edhe llojet e tjera të produkteve ushqimore bazë si makaronat apo ngjashëm, me kusht që ushqimi të mos jetë i prishur apo me të meta.
    Fjala sa’a nënkupton një enë 3.3 litroshe, ose 4 grushta (dypëllëmbësh) të një burri me shtat mesatar, ndërsa në kilogram 1 sa’a është afërsisht 2.1 – 3 kg, në varësi të rëndesës së sojit të ushqimit (për shembull në rastin e orizit, dijetari i shquar Ibën El-Uthejmini thotë se 1 sa’a është 2.1 kg)…
    Një pjesë e dijetarëve të Islamit, si Ebu Hanifja, Umer ibn AbdulAzizi, Hasen El-Basriu etj., kanë lejuar që përveçse në ushqim, Zekati i Fitrit të jepet edhe në lekë (vlera monetare e ushqimit e konvertuar në lekë), por disa dijetarë të tjerë (si Ibn Tejmije) kanë theksuar se një gjë e tillë vlen nëse kjo është më e dobishmja për të varfrin…
  6. Shpërndarja e Zekatit të Fitrit:
    Është e pëlqyeshme që vetë nxjerrësi i Zekatit të Fitrit t’ua japë atë të varfërve të vendit apo zonës së vetë, por mundet që ai Zekatin e Fitrit t’ua jap ta shpërndajnë institucioneve, shoqatave bamirëse apo personave fetarë të besueshëm…
    Lejohet që Zekati i Fitrit të një personi t’i jepet një apo disa të varfërve dhe që disa persona t’ia japin atë një të varfri të vetëm…

    Kujdes!!! Sipas mendimit më parësor Zekati i Fitrit obligohet t’i jepet të varfërve dhe i varfër quhet vetëm personi që nuk ka të ardhura të mjaftueshme që i plotësojnë nevojat e tij jetike një vjeçare.

  7. Koha e nxjerrjes së Zekatit të Fitrit:
    Imam Ebu Hanifja dhe Imam Shafiu kanë thënë se është e lejuar që Zekati i Fitrit të nxirret që në fillim të muajit të Ramazanit, teksa disa dijetarë të shkollës juridike të imam Ahmed Ibn Hanbelit lejojnë që Zekati i Fitrit të nxirret pas kalimit të gjysmës së parë të Ramazanit, gjë që vlen sidomos kur ky Zekat u jepet institucioneve dhe shoqatave të cilave u merr kohë shpërndarja e tij.
    Gjithsesi, bazuar në traditën e shokëve të Profetit (Paqja qoftë mbi të!), është më mirë që Zekati i Fitrit të nxirret një apo dy ditë para Bajramit; nisur nga vepra e Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili e nxirrte Zekatin e Fitrit një apo dy ditë para Bajramit. [Ebu Daudi, hadith sahih-i saktë] Afati i fundit i nxjerrjes së Zekatit të Fitrit është para se muslimanët të falin Namazin e Fitër Bajramit dhe nëse muslimani pa asnjë arsye e nxjerr Zekatin e Fitrit pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, në këtë rast ai bie në gjynah, por gjithsesi atij i mbetet obligim që ta nxjerrë Zekatin e Fitrit edhe pas kësaj.
    Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lidhur me këtë thotë:
    “…Për kë e nxjerr atë (Zekatin e Fitrit) para namazit (të Fitër Bajramit), ai është zekat i pranuar, ndërsa për kë e nxjerr atë pas namazit (të Fitër Bajramit), ai është një sadaka prej sadakave (nuk ka shpërblimin e Zekatit të Fitrit).” [Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe, hadith sahih-i saktë]

Vërejtje: Edhe pse mendimi më i drejtë është se Zekati i Fitrit duhet nxjerrë para faljes së namazait të Fitër Bajramit, duhet theksuar fakti se sipas masës dërrmuese të dijetarëve, Zekati i Fitrit është i vlefshëm nëse nxirret deri në kohën para perëndimit të diellit të ditës së faljes së namazit të Fitër Bajramit…

Përgatiti: hoxhë Altin Torba